Perëndia dëshiron që ti të bëhesh më i duruar
4. Gusht E Martë

“Shtrëngimi prodhon këmbënguljen” Romakëve 5:3 KJV

Sa më shumë që plakemi, aq më të duruar bëhemi, megjithëse kemi më pak kohë përpara nesh. Përse ndodh kjo? Për shkak të këndvështrimit! Problemet tona nuk kanë ndryshuar, por këndvështrimi ynë po. Ne kemi jetuar mjaftueshëm për të thënë: “Edhe kjo do të kalojë” ose “Hiri i Tij është i mjaftueshëm”. Në vend që të ankohemi, gjë që vetëm sa i përkeqëson problemet dhe na vjedh gëzimin, ashtu si Jozefi, ne hedhim vështrimin tek përvojat e kaluara që ne mendonim se nuk do t’i përballonim dot dhe themi: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës” (Zanafilla 50:20 NAS). Fjala për ty sot është: Perëndia do që ti të bëhesh më i duruar! Durimi është një nga nëntë frytet e Frymës që përmenden tek Galatasve, kapitulli pesë. Por ai është një frut që rritet shumë ngadalë, që lulëzon më së miri në tokën e problemeve dhe sprovave. Disa prej nesh janë njësoj si ajo zonja që u lut: “Zot më jep durim dhe e dua tani”. Më vjen keq, kjo është një lutje që Perëndia nuk do t’i përgjigjet. Jakobi shkruan: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë” (Jakobi 1:2-4 NLT). Kur mendon për të, durimi është thjesht të besuarit tek Perëndia për gjëra të tilla si: “si” dhe “pse” dhe “kur”. Ndërsa sheh pas disa prej gjërave që ti i ke dashur aq shumë dhe që do të nxitoje për t’i pasur, ti kupton se Perëndia të ka tërhequr pas përmes frerëve dhe të ka ruajtur që të mos futeshe ne telashe të mëdha. Padurimi është një nga karakteristikat dominuese të fëmijëve; është papjekuri frymërore. Ndaj, ji i duruar!