E mira jote dhe lavdia e Tij
November 06. Tuesday

‘Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë’ 1 Pjetrit 2:20 NIV (Botimi 2011)

Shumë prej njerëzve që ne admirojmë në Shkrim u trajtuan shumë keq. Dhe Perëndia e lejoi këtë gjë të ndodhte. Mendo për Danielin që u hodh në gropën e luanëve dhe Jozefin që u fut në burg. Ata nuk bënë asgjë për t’i merituar këto gjëra. Bibla thotë: ‘Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij’ (v. 20-21 NIV, Botimi 2011). Vëre, ti je ‘thirrur’ që të ngadhënjesh mbi vështirësitë. Ka qëllim në dhimbjen tënde. Dhe asgjë nuk mund të të prekë ty pa kaluar së pari përmes duarve të Atit tënd të dashur qiellor. Ai i pa paraprakisht të gjitha këto dhe çdo gjë që ti po kalon tani po të përgatit që t’i shërbesh Atij në mënyrë më efektive. Pali tha: ‘Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë...Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht’ (2 Timoteut 4:16-17 MSG). Pali nuk i konsideronte thjesht si vuajtje, ai i pa si përparime! Prandaj, inkurajohu! Ti po rritesh në hir [duke u bërë më i hirshëm] dhe në njohurinë e Zotit (shiko  2 Pjetrit 3:18). Ti je në procesin e përgatitjes. ‘Por unë nuk e kuptoj’, thua ti. Epo dëgjo Joni Erickson Tada: ‘Nëse mendja e Perëndisë do të ishte aq e vogël sa unë ta kuptoja, atëherë Ai nuk do të ishte Perëndi. Ndonjëherë nuk duroj dot së qeni në këtë karrige me rrota, por pikërisht atëherë hiri i Perëndisë derdhet më shumë. Edhe në handikapin tim, Perëndia ka një plan dhe qëllim për jetën time’. Nëse Perëndia të nxjerr jashtë situatës ose të kalon përmes saj, besoji Atij. Ai po punon për të mirën tënde dhe për lavdinë e Tij.