Është një zgjedhje
6. Dhjetor E Enjte

‘Unë do të ngazëllohem tek Zoti’ Habakuku 3:18 NKJV

Pastori Jim Penner thotë: ‘Unë nuk do ta harroj kurrë momentin...ndërsa isha tetë vjeç, i ulur tek shkalla, kur mamaja ime ia hapi derën dy burrave që i lanë asaj në dorë disa letra...Ndërsa lotët ranë poshtë faqeve të saj, nuk m’u desh shumë të kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Me paratë ishim ngushtë...banka nuk ishte paguar...dhe ata na e morën makinën. Unë gjithashtu mbart me vete një imazh të nënës time duke u lutur në dhomën e saj. Ndërsa përballej me frikën, dy fjalë dolën prej gojës së saj...“Faleminderit! Faleminderit!”. Unë mendova: “Faleminderit? Po ti sapo humbe makinën; ne nuk kemi më para; çfarë do të ndodhë me ne?”. Lutja e saj vazhdoi: “Faleminderit Perëndi, për atë që Ti ke siguruar...dhe që ne sot kemi diçka për të ngrënë”...Dhe kështu vazhdoi...për pesëmbëdhjetë minuta pak më shumë. Duke hedhur vështrimin pas, prej atyre minutave të çmuara unë mora një mësim shumë të madh për jetën. Mamaja ime më mësoi një qëndrim mirënjohës në mes të fatkeqësisë që unë nuk do ta harroj kurrë...Kohët e vështira nuk përfunduan brenda natës...por në vitet që do të vinin, Perëndia e bekoi mamanë time për shkak të besimit të saj të qëndrueshëm’. Mirënjohja nuk është një reagim i natyrshëm ndaj fatkeqësisë; ajo është një disiplinë që ti e zhvillon. Psalmisti tha: ‘Mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë’ (Psalmi 103:2 KJV). Në mes të shqetësimit, kur ti mendon se Perëndia nuk të ka bekuar, ulu dhe kujto besnikërinë e Tij dhe ti do të përfundosh i mbushur me gëzim. Habakuku tha: ‘Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim’ (Habakuk 3:17-18 NCV). Kur ti merr kohë që të falenderosh për bekimet në jetën tënde, kjo do të ndryshojë këndvështrimin dhe qëndrimin tënd.