Ji një prej 10 përqindëshit
22. Shtator E Diel

‘A nuk shërova unë dhjetë burra? Ku janë nëntë të tjerët?’ Luka 17:17 NLT

Një ditë Jezusi shëroi dhjetë burra të sëmurë nga lebra, e cila në atë kohë ishte një dënim me vdekje për shkak se nuk njihej asnjë kurë për të. Për t’u habitur, vetëm një prej tyre u kujtua që të kthehej dhe ta falenderonte Atë. Po historia e nëntë të tjerëve cila është? Mos ishin ata shumë të zënë për të qenë falenderues? Patjetër që ata ishin mirënjohës, por gjithsesi nuk morën kohë për ta shprehur atë. Mos vallë i mori rrjedha e gjërave të tjera dhe harruan? Mos ishin vallë tepër të kujdesshëm për të qenë mirënjohës? Mbase ata menduan se shërimi i tyre nuk do të zgjaste shumë, kështu që donin t’i jepnin pak kohë para se ta shpallnin atë. Ose mbase ata ishin të shqetësuar se mos Jezusi u kërkonte ndonjë gjë mbrapsht, të cilën ata nuk ishin të gatshëm ose të aftë që ta jepnin. Mos vallë ishin shumë të përqëndruar tek vetja për të qenë mirënjohës? Në një farë mënyre, jeta e të sëmurit ishte një jetë më e thjeshtë. Tani ata duhej të gjenin një punë, të merrnin përsipër përgjegjësi dhe të kishin një rol në shoqëri. Mos vallë ishin shumë arrogantë për të qenë mmirënjohës? Mbase ata mendonin se po t’i jepnin vetes më shumë kohë, do ta merrnin veten. Plus, që të jesh mirënjohës do të thotë të pranosh se je nevojtar. Kush do të shfaqë dobësi kur ke një imazh për të mbrojtur? Nëse kjo histori është një tregues, i bie që nëntë nga dhjetë prej nesh kanë një problem me mirënjohjen – të paktën kur vjen puna për ta shprehur atë. Mos ji i tillë! Ji një prej 10 përqindëshit! Në tre psalme që vijnë njëri pas tjetrit – 105, 106 dhe 107 – Davidi përsërit fjalë të ngjashme: ‘Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë’. Mos lejo që të kalojë qoftë edhe një ditë pa ia kujtuar vetes mirësinë e Perëndisë dhe pa e falenderuar Atë për të.