Mbaji sytë tek Jezusi, jo tek njerëzit
13. Korrik E Shtunë

‘Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?”’ Gjoni 21:21 NLT

Bibla thotë: ‘Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?”. Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?”. Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!”. Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?”’ (v. 20-23 NLT). Kur Pjetri e pyeti Jezusin: ‘Zot, dhe me të ç’do të bëhet?’, ai po i referohej apostullit Gjon, i cili kishte një marrëdhënie të afërt me Krishtin. Dhe Jezusi i tha: ‘Hiqi sytë nga Gjoni dhe mbaji sytë tek Unë. Më ndiq dhe edhe ti mund të kesh një marrëdhënie të ngushtë me Mua’. Njerëzit do të të zhgënjejnë, ashtu si edhe ti i zhgënjen ata. Por Jezusi nuk do të të zhgënjejë kurrë nëse i mban sytë tek Ai dhe e ndjek Atë. Madje edhe duke pasur qëllimet më të mira, njerëzit do të të japin këshilla të gabuara dhe gjithashtu edhe ti do t’u japësh këshilla të gabuara. Por Jezusi nuk do ta bëjë këtë. Ai nuk është se thjesht e njeh rrugën, Ai thotë: ‘Unë jam rruga’ (Gjoni 14:6 NKJV). Ai thotë: ‘Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës’ (Gjoni 8:12 NKJV). Prandaj, fjala për ty sot ka të bëjë me një nga parimet më themelore në jetesën e krishterë: hiqi sytë nga njerëzit dhe mbaji tek Jezusi.