Përdore dhuntinë që Perëndia të ka dhënë
18. prill e enjte

“Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur” 1 Korintasve 12:18 NCV

Një mësues Bible i respektuar thotë: “Për shkak se familja ime është aq e madhe, ne tërheqim emra për të parë se kush do të blejë dhurata për kë. Një Krishtlindje, kur unë hapa dhuratën time, u zhgënjeva … më pas pashë drejt vëllait tim binjak, i cili mori dy dhurata të bukura. Duke e ndjerë zhgënjimin tim, gruaja ime erdhi tek unë e më tha: “Mos u shqetëso. Kur të shkojmë në shtëpi do ta shkëmbejmë atë me diçka që të pëlqen më shumë”. E njëjta gjë ndodh edhe në Trupin e Krishtit. Ne marrim dhuntinë që Perëndia na ka dhënë dhe menjëherë shkojmë tek dikush tjetër për të parë se çfarë ka marrë ai ose ajo … Kur shohim dhuntinë tonë … ne nuk jemi të gëzuar … dhe menjëherë mendojmë … ‘Unë e di … do ta shkëmbej me diçka që më pëlqen më shumë’. Ja pse ka shumë njerëz që vrapojnë sa andej-këtej duke shpallur se janë një apostull ose një profet ose një mësues … Ata janë shkëmbyes dhuntish”.

Nuk e vendos ti se çfarë dhuntie do të të japë Perëndia. Perëndia “ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur”. Ndonjëherë të duhen vite për ta kuptuar dhuntinë tënde dhe për të filluar të veprosh në të. Në vend që të lakmosh dhuntinë e një personi tjetër, ji mirënjohës për tënden dhe kërkoji Perëndisë që ta përdorë atë që të bekosh sa më shumë njerëz që është e mundur. Dhe nëse ke pyetje për të, kërko Shkrimet. Pali thotë: “sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme” (Romakëve 11:29 NIV); “Perëndia i ka dhënë gjithsecilit aftësinë për të bërë mirë gjëra të caktuara” (Romakëve 12:6 TLB); “Por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu” (1 Korintasve 7:7 NIV); “Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:11 NCV). Prandaj, përdore dhuntinë që Perëndia të ka dhënë .