Ki qëllime qartësisht të vendosura për jetën tënde
10. Tetor E Enjte

‘Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë’ Filipianëve 3:14 NIV, UK (Botimi 2011)

Në vitin 1972, revista Life publikoi një histori mbi aventurat e mahnitshme të John Goddard. Kur ai ishte pesëmbëdhjetë vjeç, gjyshja e tij i tha: ‘Ah sikur ta kisha bërë atë gjë kur isha e re’. I vendosur për të mos e bërë këtë deklaratë në fund të jetës së tij, John shkroi 127 qëllime. Ai emërtoi dhjetë lumenj që donte të eksploronte dhe shtatëmbëdhjetë male që ai donte t’i ngjiste. Ai vendosi qëllime për t’u bërë një Eagle Scout, një udhëtues nëpër botë dhe një pilot. Gjithashtu në listën e tij ishte kalërimi i një kali në paradën Rose Bowl, zhytja me një nëndetëse, ribërja e udhëtimeve të Marko Polos, leximi i Biblës nga faqja e parë në të fundit dhe leximi i gjithë Enciklopedisë Britanike. Ai planifikoi që të lexonte veprat e Shekspirit, Platonit, Dikensit, Aristotelit dhe disa autorëve të tjerë klasikë. Ai dëshironte të mësonte t’i binte flautit dhe violinës, të martohej, të kishte fëmijë (ai pati pesë), të ndiqte një karrierë në mjekësi dhe të shërbente si një misionar për kishën e tij. A duket e pamundur? Në moshën dyzet e pesë vjeçare ai kishte përmbushur 103 nga 127 qëllimet e tij! Tani, lista e qëllimeve të tua mund të mos jetë aq e gjatë sa e tij, por nëse nuk ke disa qëllime për jetën tënde ti do të kesh shumë pak motivim që të zgjohesh në mëngjes dhe pak kënaqësi kur ta vendosësh kokën tënde mbi jastëk çdo natë. Dhe nëse ti nuk provon diçka përtej asaj që tashmë e ke zotëruar përsosmërisht, ti nuk do të rritesh. Prandaj, vendosi qëllimet e tua në lutje dhe me ndihmën e Perëndisë puno për t’i arritur çdo ditë.