Menaxhimi i zemërimit (1)
8. Nëntor E Premte

‘Mos mëkatoni duke e lejuar zemërimin që t’ju kontrollojë’ Efesianëve 4:26 NLT

Përmendja e parë e zemërimit në Shkrim është kur Kaini u zemërua aq shumë me vëllain e tij, Abelin, sa ai e vrau atë. Në vitin 2017, më shumë se gjysma e vrasjeve në Angli dhe Uells ishin rezultat i një lloji të zemërimit. Por zemërimi jo vetëm që i vret të tjerët, por ai mund të të vrasë edhe ty. Dr. Redford Williams, Profesor i Psikiatrisë dhe Shkencës së Sjelljes në Universitetin Duke, thotë: ‘Armiqësia dhe zemërimi të shoqëruar me sjelljen e Tipit A është një kontribues i madh në sëmundjen e zemrës. Njerëzit që përballen me zemërimin janë pesë herë më të disponueshëm për të vuajtur nga sëmundja koronare e zemrës dhe njerëzit me sëmundje zemre janë të rrezikuar dyfish për të pësuar atak në zemër nëse janë të zemëruar’. Sigurisht, që ka një ndryshim midis zemërimit dhe acarimit. Një vajzë e vogël i kërkoi të atit që t’i shpjegonte ndryshimin mes tyre. Kështu ai mori telefonin, i ra një numri, e lejoi vajzën e tij që të dëgjonte dhe kur personi tjetër u përgjigj, ai tha: ‘Përshëndetje. A është aty Melvin?’. Përgjigja që mori ishte: ‘Këtu nuk ka asnjë me emrin Melvin. Përse nuk e shikoni mirë numrin përpara se t’i bini?’. Babai priti një moment, e më pas i ra sërish atij numri. ‘Përshëndetje. A është aty Melvin?’. Burri bërtiti: ‘Sapo të thashe që këtu nuk ka asnjë Melvin! Mos i bini më këtij numri!’, e më pas përplasi fort receptorin. Babai e pa të bijën dhe i tha: ‘Zemër, ky ishte zemërim. Tani më lejo të të tregoj acarimin’. Ai i ra sërish numrit dhe kur nga ana tjetër u dëgjua një ‘Përshëndetje!’, babai i saj me qetësi tha: ‘Përshëndetje. Unë jam Melvin. A më ka kërkuar dikush në telefon?’. Fjala zemërim është sinonim i fjalës rrezik. Prandaj, kërkoji Perëndisë që të të ndihmojë që ta menaxhosh zemërimin tënd. Dhe Ai do ta bëjë!