Menaxhimi i zemërimit (2)
9. Nëntor E Shtunë

‘Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi’ Fjalët e Urta 14:17 NKJV

E vërteta është se kur temperamenti yt merr më të mirën prej teje, ai zbulon më të keqen tënde. Bibla thotë tre gjëra për zemërimin e padrejtë, të cilat ti duhet t’i mbash në mendje: 1) Është marrëzi. ‘Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer’ (v. 17 NKJV). Benjamin Franklin shkroi tek Poor Richard’s Almanac: ‘Mbaje shënim këtë nga Riçardi i varfër dhe sakat; çfarëdo që fillon në zemërim përfundon në turp’. 2) Është përçarës. ‘Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet’ (Fjalët e Urta 15:18 NLT). Me raste ne mund të zemërohemi për arsye të mira. Por shumicën e kohës kjo ndodh për shkak se jemi egoistë, të paduruar, të irrituar ose të lënduar për mënyrën se si na kanë trajtuar. Humoristi Will Rogers ka thënë një herë: ‘Njerëzit që hidhen fluturimthi në zemërim, rrallë herë bëjnë një ulje të mirë’. Në vend që ta zgjidhë problemin, zemërimi vetëm sa e përkeqëson atë. 3) Është shkatërrues. ‘Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë’ (Fjalët e Urta 19:19 NLT). Kjo do të thotë se kur ti fillon ta humbasësh durimin, ti vazhdon ta humbasësh. Ti do të humbasësh miq, do të humbasësh dashurinë dhe respektin e familjes sate, do të humbasësh partnerët e biznesit dhe madje mund të bëjë që edhe të humbasësh shëndetin. John Hunter, një psikolog që pati një problem të rëndë me zemrën, tha: ‘Jeta ime është në mëshirë të personit që mund të më zemërojë...faqeziu i parë që do të më zemërojë mund të më vrasë’. Dhe merre me mend, ai faqezi mund të jesh ti! Prandaj, kërkoji Perëndisë që të të ndihmojë ta kontrollosh zemërimin tënd.