Vrasësit e ëndrrave (3)
9. Janar E Mërkurë

‘Perëndia…thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin’ Romakëve 4:17 NIV (Botimi 1984)

Kur ti guxon të ëndërrosh, Perëndia  i cili i ‘thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin’ është duke punuar brenda teje. Por është edhe një vrasës ëndrrash i tretë të cilin ti duhet ta mundësh: stabilizimi tek mesatarja. Një ëndërr e dhënë prej Perëndisë do të të shtriqë; ti nuk mund ta zgjasësh dorën për ta kapur atë dhe në të njëjtën kohë të mbetesh një mediokër i sigurt. Këto të dyja janë të papajtueshme. Kur ti stabilizohesh tek mesatarja, kjo të tundon për t’ua hedhur fajin të tjerëve ose rrethanave të tua personale ose sistemit. Por e vërteta është se mediokriteti është gjithmonë një zgjedhje personale. Kur nuk ke një ëndërr që të shtyn më tej, ti rrezikohesh që jeta thjesht të të rrëshqasë nëpër duar. Autori Kenneth Hildebrand e thotë në këtë mënyrë: ‘Njeriu më i varfër nuk është ai pa asnjë qindarkë në xhep. Më i varfri është njeriu pa asnjë ëndërr...[ai është si] një anije e madhe  e krijuar për oqeanin e paanë, por që përpiqet të lundrojë në një pellg uji. Ai nuk ka asnjë port për të arritur, asnjë horizont që ngrihet, asnjë ngarkesë për të mbartur. Orët e tij përthithen në rutinë dhe tirani të vogla. Nuk është çudi pse ai bëhet i pakënaqur, grindavec dhe i mërzitur. Një nga tragjeditë më të mëdha të jetës është një person me një kapacitet dhjetë të dymbëdhjetat dhe me një shpirt dy të katërtat’. Nëse mendon se jeta jote është më afër mesatares se sa ti dëshiron, atëherë ke nevojë që të ëndërrosh më shumë. Asgjë nuk do të të ndihmojë që ta dalësh nga vendi ku je sesa një ëndërr e frymëzuar nga Perëndia. Dhe nëse ende nuk e ke një të tillë, kërkoji Perëndisë që të të japë një. Ai mund të ta japë menjëherë ose pas një periudhe kohe, por Ai do ta bëjë.