Çdo gjë që ke nevojë gjendet në Fjalën e Perëndisë
26. Maj E Diel

‘Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë’ Gjoni 8:36 NLT

Ndonjëherë ne u themi besimtarëve të rinj që t’i ndryshojnë sjelljet e tyre, pa u treguar atyre mënyrën se si ta bëjnë! Jezusi tha: ‘Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë’. Bibla e Amplifikuar e thotë kështu: ‘Kështu ju jeni me të vërtetë dhe në mënyrë të padiskutueshme të lirë’. Çelësi për të pasur fitoren në jetë nuk qëndron tek të ushtruarit më shumë të vullnetit, por të afruarit ndaj fuqisë së Perëndisë moment pas momenti. Pali shkruan: ‘Ecni në Frymë dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit’ (Galatasve 5:16 NKJV). Ndryshimi që zgjat vjen nga përbrenda. Beteja jote më e madhe do të jetë gjithnjë në fushën e mendimeve dhe impulseve. Nëse Satani arrin ta shkëpusë mendjen tënde nga Fjala e Perëndisë për në sferën mishore, ai mund të të shtyjë drejt mëkatit dhe të të mposhtë sa herë të dojë. Kuptoje këtë: Fjala e Perëndisë është gjuha e Frymës së Perëndisë. Kjo do të thotë se kur ti e lexon atë dhe mediton mbi parimet e saj, ti je duke e lejuar Frymën e Shenjtë që të të flasë dhe si rrjedhojë ti mund ta mbash natyrën tënde mishore nën kontroll. Por kur ti qëndron në mendime mëkatare, ti po vepron sipas gjuhës së armikut dhe po e lë atë që të të diktojë. Prandaj, sot kthehu sërish tek Fjala e Perëndisë. Ajo është ‘shpata Frymës’ dhe e vetmja armë e mprehtë mjaftueshëm që të të ndajë ty prej mëkatit. Pjetri tha: ‘Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë...me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë’ (2 Pjetrit 1:3-4 NLT). Çdo gjë që të nevojitet gjendet në Fjalën e Perëndisë.