Dorëzoju Perëndisë (3)
16. Mars E Shtunë

‘Më mëso si ta plotësoj vullnetin tënd’ Psalmi 143:10 NIV (Botimi 2011)

Ti merr fuqi me anë të aktit të dorëzimit, fuqi që nuk mund ta marrësh në asnjë mënyrë tjetër. Ti merr liri nëpërmjet nënshtrimit, liri që përndryshe nuk do ta njihje kurrë. Programi prej 12 hapash për shërim ofron një rrugë drejt lirisë për ata që gjenden nën një varësi të caktuar. Por në thelb të dymbëdhjetë hapave gjendet një paradoks i madh: në cilin prej dymbëdhjetë hapave thuhet: ‘Tani, përpiqu fort që të mos pish’? Në cilin prej dymbëdhjetë hapave thuhet: ‘Tani vendos të mos pish’? Në mënyrë të mahnitshme, ky mjet i fuqishëm që kemi kundra varësive tona më të fuqishme nuk i kërkon kurrë njerëzve që të vendosin të ndalojnë së bëri atë që po shkatërron jetët e tyre. Në vend që të mobilizojë vullnetin, ndjekësit e tij i dorëzohen vullnetit të Perëndisë. Nëse po përpiqesh që të fitosh mbi një problem me anë të vullnetit tënd, ai do të të mundë. Por nëse e dorëzon vullnetin tënd ndaj Perëndisë, çlirimi bëhet i mundur. Dorëzimi, për të cilin ne mendojmë se do të thotë mposhtje, aktualisht del se është mënyra e vetme për të fituar. Kjo  nuk ka të bëjë vetëm me alkoolin dhe drogën, por me mëkatin në përgjithësi. Përse vullneti ynë dështon? Libri i Madh i Alkoolistëve Anonimë thotë se kur vjen puna tek të pirët, ne themi dhe mendojmë ‘kurrë më’. Por ne e bëjmë sërish. Pse? Ne jemi të paaftë, në momente të caktuara, që të sjellim me forcë të mjaftueshme në ndërgjegjen tonë kujtimin e vuajtjes dhe turpërimit të një jave më parë...pasojat e caktuara që pasojnë pirjen e një gote nuk e pushtojnë mendjen tonë për të na frenuar. Nëse këto mendime vijnë, ata janë të mjegullt dhe menjëherë të zëvendësueshëm prej idesë së vjetër, bajate, që kësaj here ne do ta kemi veten nën kontroll’. Prandaj, fjala për ty sot është: dorëzoju Perëndisë!