E vërteta transformuese e Kalvarit (2)
17. Prill E Mërkurë

‘Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne’ 1 Pjetrit 2:24 NLT

Së dyti, Kalvari ishte një zëvendësim, që do të thotë ‘një akt i marrë përsipër nga dikush në vend të një tjetri’. I parë me sytë e ndjenjës dhe supersticiozitetit, kryqi mund të prekë emocionet e tua, por nuk mund ta shpëtojë shpirtin tënd. Por i parë si një zëvendësim, kryqi mund të shpëtojë çdo shpirt! Apostulli Pal shkruan: ‘Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi’. Nëse Jezusi do të kishte hequr dorë në Kalvar, Perëndia do të kish qenë i detyruar që të na dënonte me vdekje për mëkatet tona. Por në vend të kësaj, Jezusi duke qenë zëvendësuesi ynë, vuajti ndëshkimin që ne meritonim me të drejtë, duke na çliruar dhe duke na dhënë jetën e përjetshme. Zëvendësimi ishte historikisht ideja e Perëndisë për ta çliruar popullin e Tij nga dënimi i mëkatit të tyre.Kur Adami dhe Eva mëkatuan, Perëndia përdori një kafshë për të mbuluar padrejtësinë e tyre. Ai e pranoi sakrificën e Abelit me ‘të  parëlindurit e kopesë së tij’ (Zanafilla 4:4 KJV) dhe dashin e Abrahamit të kapur pas shkurreve në shkëmbim të jetës së Isakut (shiko Zanafilla 22:13). Por pa dyshim që vepra më e madhe e shpëtimit të shpirtit bërë prej Perëndisë – zëvendësimi – u tregua një herë e përgjithmonë kur Jezusi e ofroi Veten e Tij në Kalvar. Duke qenë plotësisht i kënaqur me vdekjen shlyese të Krishtit, Perëndia e fshiu dosjen tonë dhe na shpalli të pafajshëm në sytë e Tij! Perëndia ‘bëri të jetë mëkat për ne Ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të’ (2 Korintasve 5:21 NASB). Në kryq Jezusi u bë ajo që në ishim – mëkat – që ne të mund të bëheshim ajo që Ai ishte – drejtësi! Çdo gjë që Jezusi bëri që prej lindjes së Tij nga një e virgjër, jeta pa mëkat, vdekja shpenguese, ringjallja e mrekullueshme, ngritja lart e lavdishme dhe shërbesa priftërore në qiell, e bëri si një zëvendësues dhe shpëtimtar.