Ki një ndikim
24. prill e mërkurë

“Le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë nga Jezusi” Hebrenjeve 12:1-2 NKJV

Burrat dhe gratë që patën ndikimin më të madh në botë ishin ata që ishin tërësisht të përqëndruar dhe të dhënë krejtësisht ndaj vizionit të tyre. John Wesley, themeluesi i Kishës Metodiste, tha një herë: “Nëse do të kisha treqind burra që do e kishin frikë Perëndinë, do ta urrenin mëkatin dhe do të ishin të vendosur që të mos dinin asgjë tjetër veç Jezus Krishtit dhe Atë të kryqëzuar, unë do ta ndizja botën në zjarr”. Jonathan Edwards, shërbesa e të cilit ndezi Rizgjimin e Madh në Amerikë, e bëri këtë moton e jetës së tij: “Vendimi i Parë: Unë do të jetoj për Perëndinë. Vendimi i Dytë: Nëse nuk e bën askush tjetër, unë do ta bëj”.

C. T. Studd, një nga atletët më të mëdhenj të Anglisë, e tronditi botën kur ai hoqi dorë nga fama dhe pasuria për të qenë një misionar në Kinë. “Nëse Jezus Krishti është Perëndia dhe ka vdekur për mua, atëherë asnjë sakrificë nuk mund të jetë shumë e madhe që unë ta bëj për të”, shpjegoi ai. Misionari Jim Elliot, i cili vdiq si një martir në Amerikën Jugore, tha: “Nuk është budalla ai që jep atë që nuk mund ta mbajë për të fituar atë që nuk mund ta humbasë”.

Ditën që linde Perëndia kishte një rrugë për ty ku të ecje. Por për të fituar, ti duhet të heqësh qafe

  1.  çdo gjë që të ul poshtë dhe
  2. çdo gjë që të pengon. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi” (v. 1-2 AMPC).