Ti do ta kalosh stuhinë
10. Qershor E Hënë

‘Dhe, duke qenë se...furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi’ Veprat 27:20 NIV (Botimi 2011)

Ka raste në jetë kur Perëndia duket i largët. Ne lutemi por ndjehemi të braktisur, në mëshirë të rrethanave tona, të frikësuar dhe të pashpresë. Pali ishte ndryshe. Ai mezi priste për një mundësi që të predikonte në Romë dhe ishte rrugës për atje kur një stuhi goditi anijen e tij, duke sjellë dëshpërim tek të gjithë. Pali jo vetëm që e kishte parashikuar humbjen e anijes, ekuipazhit dhe ngarkesës së saj, por ‘gjithashtu të vetë jetës së tij’ (v. 10 NIV, Botimi 2011). Paralajmërimi i tij nuk u mor në konsideratë nga kapiteni i anijes dhe centurioni që kishte përgjegjësi për të. Si rrjedhojë, Pali dhe 276 pasagjerët e tjerë u vendosën në një krizë jetë-kërcënuese dhe nuk kishte mbetur asgjë për t’u bërë. Të tmerruar, ai dhe shokët e tij deklaruan: ‘Humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi’. Pas katërmbëdhjetë ditësh në det pa diell apo yje që t’i drejtonin ata dhe pikërisht atëherë kur stuhia ishte në kulmin e saj, Perëndia dërgoi një engjëll tek Pali. ‘Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t’i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty’ (v. 24 NIV, Botimi 2011). Ata ishin të qullur të uritur dhe kishin ftohtë kur anija e tyre më në fund ngeci në rërë në një ishull të Italisë. Çdo rrethanë të çonte tek tragjedia dhe shkatërrimi i ëndrrës së Palit për të predikuar në Romë. Megjithatë, kur dielli lindi në ishullin e Maltës mëngjesin tjetër, u bë e qartë se Perëndia i kishte kaluar ata përmes stuhisë për tek destinacioni i saktë që Ai kishte planifikuar për ta. Dhe Pali përfundoi duke shpallur Fjalën e Perëndisë përpara Cezarit në Romë. Prandaj merr kurajo – ti do ta kalosh stuhinë!