Ki kujdes se kujt i drejtohesh (1)
29. Shkurt E Shtunë

‘Por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngre!’ Predikuesi 4:10 NIV (Botimi 2011)

Perëndia nuk e ka pasur kurrë si qëllim që ne ‘të fluturojmë vetëm’. Që të gjithë kemi nevojë për ndihmë dhe inkurajim herë pas here, por ki kujdes se kujt i drejtohesh. 1) Mos shko tek dikush që nuk mund ta zgjidhë problemin tënd. Duke e ndarë situatën tënde me të ti mund të përjetosh lehtësim të përkohshëm, por po nëse ai person nuk është i pjekur mjaftueshëm për ta menaxhuar atë? Jezusi tha: ‘Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit’ (Mateu 18:6 KJV). 2) Është mirë t'i drejtohesh një miku të provuar, për sa kohë që ai është i pjekur frymërisht. Bibla thotë: ‘Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira’ (Fjalët e Urta 17:17 KJV). Por ti duhet ta dish që ai person është një mik i vërtetë. Pjetri shkruan: ‘Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh’ (1 Pjetrit 4:8 NIV, Botimi 2011). Dikush që të do me të vërtetë do të lutet për ty, do të ecë bashkë me ty derisa ti të marrësh fitoren. Dhe kur të jesh gabim në shtegun tënd, ai/ajo nuk do të të justifikojë dhe as do të të mbulojë – por do të të kërkojë llogari. 3) Kur është e mundur, drejtoju një ati frymëror. Pali thotë: ‘Sepse, edhe sikur të kishit dhjetë mijë mësues në Krishtin, nuk do të kishit shumë etër’ (1 Korintasve 4:15 NKJV). Mendo për atributet e një ati të mirë. Ai korrigjon, por nuk të dënon kurrë. Ai nuk heq dorë prej teje. Ai të vlerëson në bazë të cilësive të tua më të mirë në vend të më të këqijave. Në vend që të reagojë negativisht ndaj dështimeve të tua, ai e dallon potencialin tënd dhe vazhdon të punojë me ty. Prandaj, kërkoji Perëndisë sot për një atë frymëror dhe qëndro në komunikim të rregullt me të.