Perëndia dhe paraja jote (5)
22. Maj E Premte

“Dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” Mateu 6:33 NLT

Kur vjen puna tek paraja, Bibla mëson që: (1) Perëndia do që ti të kesh mjaftueshëm para për të përmbushur çdo nevojë, pavarësisht përmasës, me të cilën ti mund të përballesh. Mendo pak: Punonjësit shqetësohen kryesisht për një gjë – të marrin rrogën e tyre. Punëdhënësit, nga ana tjetër, kanë një nevojë më të madhe. Ata duhet të kenë para mjaftueshëm për të mbuluar rrogat e të gjithëve. Por ja ku vjen dhe lajmi i mirë si për punonjësin ashtu edhe për punëdhënësin: “Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni” (v. 8 NLT). (2) Shpesh herë Perëndia do të të çojë në një vend apo tek një person i caktuar në mënyrë që të përmbushë nevojën tënde. Gjatë një zie buke të madhe, kur populli i Izraelit po vdiste nga uria, Perëndia i tha profetit Elia: “Kthehu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith...unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje” (1 Mbretërve 17:3-4 KJV). Dhe kjo gjë funksionoi mirë për ca kohë - derisa “përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin” (v. 7). Perëndia bëri që të ndodhte ashtu, sepse Ai nuk lejon kurrë që ti të varesh tëk ndonjë njeri apo diçka tjetër përveç Tij. Ai do ta thajë “përroin” tënd në mënyrë që të të çojë ty tek burimi i vërtetë – Vetja e Tij. Ja se çfarë i tha Perëndia më pas Elias: “Çohu dhe shko të vendosesh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin” (v. 9). Perëndia përdori gjëra të pazakonta si korbat, një përrua dhe një vejushë të ngratë për të përmbushur nevojat e Elias. Prandaj, ndalo përpjekjen për të kuptuar se çfarë do të bëjë Perëndia! Besoji Atij që “e mban tokën pezull mbi hiçin” (Jobi 26:7 NLT) se do të përdorë këdo, çfarëdo dhe kurdo për të përmbushur nevojat e tua.