I Pozicionuar për bekimin e Perëndisë
25. Nëntor E Enjte

‘Pastaj Zoti tha: “Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin”’ Eksodi 33:21 NKJV


Perëndia i tha Moisiut: ‘Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime’ (v. 19 NKJV). Por për ta parë premtimin të përmbushur, Moisiu duhej të pozicionohej siç duhej, ndaj Perëndia i tha: ‘Ja një vend afër Meje’. Kur ti funksionon në vendin ku Perëndia të ka caktuar, ti mund ta kërkosh premtimin e Tij: ‘Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime’. Përse e la shtëpinë e të atit djali plangprishës, kur gjithçka që ai kishte nevojë gjendej atje?

Sepse:
1) Ai donte bekimin e të atit, por jo autoritetin e tij. Jezusi tha: ‘Përse më thirrni: “Zot, Zot” dhe nuk bëni atë që ju them?’ (Luka 6:46 NIV). Vërtet përse?! Peter Marshall, kapelan i mëparshëm i Senatit të USA, një herë u lut: ‘Zot, na ndihmo që të aplikojmë atë që duartrokasim’.

2) Ai i mori të mirëqena bekimet e të atit. Perëndia i paralajmëroi izraelitët: ‘Ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë’ (Ligji i Përtërirë 6:12 NIV). Kur ata kaluan lumin Jordan, Ai u tha atyre që të merrnin  dymbëshjetë gurë, një për secilin fis dhe të ndërtonin një memorial. Pse? Për t’u kujtuar atyre se cilët ishin ata, cili ishte Ai dhe besëlidhjen e tyre me Të.

3) Ai nuk e dinte rrezikun që e priste atje jashtë. Dhe si rrjedhojë, ai përfundoi në një stallë derrash. Kupto këtë:shtegu që të çon larg prej Perëndisë mund të fillojë me kënaqësi, por do të përfundojë me dhimbje. Pyet ata që kanë ecur në të dhe do të të thonë: ‘Mos shko atje!”. Jeto sipas Shkrimit: ‘Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit’ (Psalmi 91:1 NKJV). Qëndro i pozicionuar për bekimin e Perëndisë.