Merru me stresin në jetën tënde
12. Korrik E Premte

‘Prania ime do të shkojë me ty dhe unë do të të jap pushim’ Eksodi 33:14 NKJV

A është jeta shumë e ngarkuar për ty? Nuk je vetëm. Moisiu, një nga udhëheqësit më të mëdhenj në histori, u stresua aq shumë me përgjegjësitë që po mbarte saqë donte të vdiste. Ti thua: ‘Sigurisht që ky nuk ishte vullneti i Perëndisë për të’. Ke të drejtë. Por nuk mjafton vetëm ta njohësh vullnetin e Perëndisë, ti duhet që t’i bësh gjërat sipas mënyrës së Perëndisë. Moisiu po punonte që nga mëngjesi deri në mbrëmje, gjashtë ditë në javë, pa marrë pushime. Ai po hante me vrap, po planifikonte takime, po përmbushte afate dhe po takohej me këdo që donte të takohej me të. Dhe njerëzit pranë Moisiut ose ishin shumë të zënë me punë për t’u vënë re ose ishin shumë nevojtarë për kujdes, saqë ai po vuante nga mbilodhja. Por vjehrri i tij, Jethro, e vuri re këtë gjë dhe tha: ‘Ajo që bën ti nuk shkon mirë. Do të rraskapitesh më në fund...sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm’ (Eksodi 18:17-18 KJV). Fatmirësisht, Moisiu e gjeti përgjigjen. Dhe ajo përbëhej nga dy pjesë: 1) Delegoja punën njerëzve të kualifikuar dhe besoju atyre se do e bëjnë punën. Thelbi i udhëheqësisë së mirë nuk është të përpiqesh që të bësh çdo gjë vetë, por që ajo të bëhet nëpërmjet të tjerëve. Ose siç ka thënë D.L. Moody, ungjilltari i shekullit të nëntëmbëdhjetë: ‘Në vend që të përpiqesh të bësh punën e dhjetë njerëzve, merr dhjetë njerëz që ta bëjnë punën’. 2) Mbahu tek forca e Perëndisë në vend të mbahesh tek forca jote. Perëndia i tha Moisiut: ‘Prania ime do të shkojë me ty dhe unë do të të jap pushim’. Fjala ‘pushim’ do të thotë ‘paqe e brendshme, mirëqenie, siguri dhe besim’. Dhe vullneti i Perëndisë është që ti të jetosh në këtë mënyrë.