A po lutesh për një të afërm të pashpëtuar?
28. Shkurt E Premte

‘Por është i durueshëm...sepse nuk do që ndokush të humbasë’ 2 Pjetrit 3:9 NIV (Botimi 2011)

Nëse po lutesh për një të afërm të pashpëtuar, ja ku ke një premtim në Bibël te i cili të mbahesh sot: ‘Por është i durueshëm...sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim’. Hiqe fjalën ‘ndokush’ dhe vendos emrin e të afërmit tënd. Për sa kohë që ka jetë, ka edhe shpresë! Mrekullia e fundit që Jezusi kreu ishte shpëtimi i një hajduti që ishte varur mbi një kryq në anë të Tij: ‘Sot do të jesh me mua në parajsë’ (Luka 23:43 KJV). E thënë me fjalët e shkruesit të himneve Annie Johnson Flint: ‘Dashuria e Tij nuk ka kufizime, hiri i Tij nuk ka masë, fuqia e Tij nuk ka kufij; sepse prej pasurive të Tij të pafundme në Jezusin – Ai jep, dhe jep dhe jep sërish’. Nuk ka rëndësi se sa larg janë të afërmit e tu, hiri dhe mëshira e Perëndisë sërish mund t’i arrijë ata – prandaj vazhdo të lutesh për ta. Dëgjo: ‘Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar’ (Isaia 59:1 NIV, Botimi 2011). Jezusi tha: ‘Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati...nuk e tërheq’ (Gjoni 6:44 NIV, Botimi 2011). Prandaj, lutju Perëndisë që të dërgojë dikë në shtegun e të afërmve të tu që t’i tregojë atyre rrugën e shpëtimit. Mbi të gjitha, mos u dekurajo dhe mos ju dorëzo dyshimit. Kujto, që është vullneti i Perëndisë që t’i shpëtojë ata dhe kur ti e di se je duke u lutur në përputhje me vullnetin e Tij, ti mund t’i afrohesh Atij me siguri. ‘Kjo është siguria që kemi përpara Tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të Tij, Ai na e plotëson: Dhe nëse dimë se Ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij’ (1 Gjonit 5:14-15 NIV, Botimi 2011).