Lejo Perëndinë të të thotë se cili je!
13. Nëntor E Mërkurë

‘E ëma i kishte vënë emrin Jabets’ 1 Kronikave 4:9 NKJV

Emri Jabets do të thotë ‘dhimbje dhe shqetësim’. A mund ta imagjinosh të hysh në një dhomë dhe të dëgjosh dikë të thotë: ‘Ja ku po vjen shqetësimi’ ose dikë që të përshkruan si ‘një dhimbje’. Dhe për më tepër, nëna e Jabetsit e quajti ashtu atë ditën që ai lindi, sepse ‘ajo e lindi atë me dhimbje’. Por Jabetsi refuzoi që ta mbante atë etiketim apo të lejonte emrin e tij që ta përkufizonte atë. Në vend që të shikonte pas tek e shkuara e tij dhe të dëgjonte kritikët e tij, ai iu drejtua Perëndisë dhe u lut: ‘Oh, sikur të më bekoje dhe zgjeroje kufijtë e mi, dhe dora jote të ishte me mua dhe të më ruante nga e keqja që të mos vuaj!”. Dhe Perëndia i dha atë që kishte kërkuar’ (v. 10 NKJV). Etiketa në anën e jashtme të shishes të tregon se çfarë përmban ajo brenda. Dhe kur ti i lejon të tjerët që të të etiketojnë, ata e bëjnë botën tënde shumë të vogël. Në momentin që ti pranon etiketimin që ata vendosin mbi ty, ti fillon të besosh se ti je pikërisht ai që ata thonë dhe nuk do të shkosh më larg se aq. Jo, vetëm Perëndia mund të të thotë se cili je! Prandaj, bëj atë që bëri Jabetsi – shko menjëherë tek burimi: Perëndia. Ai të krijoi. Ai të çliroi. Ai të thërret. Ai të pajis. Ai të fuqizon. Ai të shpërblen. Prandaj, kur njerëzit përpiqen të të kufizojnë duke të vendosur etiketa, Perëndia ndërhyn dhe thotë: ‘Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua’ (Isaia 43:1 NKJV). E vërteta është që Perëndia të do dhe të pranon dhe miratimi i Tij qëndron mbi mosmiratimin e kujtdo tjetër!