Bëhu gati për ndryshim (2)
26. shtator e shtunë

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell … Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet” Predikuesi 3:1, 11

Në librin e tij “Nga e Mira tek Madhështorja’ (Good to Great), lideri i biznesit dhe autori Jim Collins krahasoi dy gjigantë të dyqaneve ushqimore: “A&P”, organizata më e madhe tregtare në botë në vitet 1950 dhe “Kroger”, një zinxhir i vogël supermarketesh me vlerë, gjithashtu i suksesshëm në të njëjtat vite. Të dyja kompanitë kuptuan se bota po ndryshonte me teknologjinë. Me zgjuarsi, të dyja kompanitë kryen kërkime dhe punësuan analistë të kualifikuar për të parashikuar se si këto ndryshime do të ndikonin në të ardhmen e biznesit. Të dy dolën në përfundimin se lehtësia dhe komoditeti për klientin do të ishte gjëja më e rëndësishme. Blerjet njëqind-pikëshe u bënë rregulli i ri i lojës së shitjes. “Kroger” mori hapa për të përshtatur dyqanet e tij me strategjinë e re të “superdyqanit” të cilën sot e marrim si të mirëqenë. Përveç ushqimeve, ata filluan të shisnin edhe produkte higjienike, barna me recetë, artikuj shtëpiakë dhe më shumë. “A&P”, megjithatë, zgjodhi të injoronte këto gjetje. Rezultati? Në vitin 1999, “Kroger” prodhoi fitime tetëdhjetë herë më të mëdha se ish-konkurrenti i tij “A&P” dhe arriti vendin e parë në treg.

Ka një mësim këtu për ty. Për të arritur atë që dëshiron në jetë, nuk mund të injorosh shenjat e ndryshimit apo sfidat që po vijnë. Dhe të pretendosh se diçka nuk po ndodh, është thjesht të jetosh në mohim. Siç thotë kënga e Sam Cooke: “Një ndryshim po vjen.” Pra, a je gati dhe i gatshëm të përshtatesh me ndryshimin kur ai të vijë? A janë teknikat që përdor për t’u përballur me të aktivisht dhe efektivisht? A kërkon udhëzimin dhe bekimin e Perëndisë? “Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja” (Fjalët e Urta 2:6).