Ajo që ka më shumë rëndësi është miratimi i Perëndisë
27. tetor e martë
“Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet” 2 Timoteut 2:15
Wallace E. Johnson, president i “Holiday Inns” dhe një nga ndërtuesit më të suksesshëm të Amerikës, ka thënë: “Unë mbaj në një kartë në portofolin tim këto vargje nga Shkrimi dhe u referohem atyre shpesh: ‘Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket’ (Mateu 7:7–8). Këto Shkrime janë ndër premtimet më të mëdha të Perëndisë.”
Pastaj Johnson tha diçka interesante: “Këto vargje mund të duken paksa të njëanshme dhe të tregojnë një filozofi të marrjes, por jo të dhënies. Një ditë, ndërsa unë dhe gruaja ime, Alma, po kërkonim udhëheqjen e Perëndisë për një problem personal, hasa në vargun e mëposhtëm, i cili që atëherë është bërë një kujtesë e përditshme për mua se cila është përgjegjësia ime si biznesmen përpara Perëndisë: ‘Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet.’ Që atëherë, i kam matur veprimet e mia sipas shprehjes: ‘si punëtor që nuk ka pse të turpërohet’. Pa e ditur se ke miratimin e Perëndisë, sukseset e tua, sado të mëdha qofshin, do të të lënë me ndjenjën e zbrazëtisë. Por kur e di se ke miratimin e Perëndisë, je plotësisht i përmbushur.”
Pali u shkroi besimtarëve në Korint dhe tha: “Prandaj edhe përpiqemi t'i pëlqejmë atij” (2 Korintasve 5:9). Ndërsa thesalonikasve u tha: “Ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t'i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë” (1 Thesalonikasve 4:1). Prandaj, kjo është fjala për ty sot: Ajo që ka më shumë rëndësi është t’i pëlqesh Perëndisë.

