I drejtësuar – me anë të besimit (2)
24. Mars E Martë

‘Besimi i tij i numërohet për drejtësi’ Romakëve 4:5 NIV (Botimi 2011)

Ka vetëm dy mënyra përmes të cilave mund të bëhesh ‘i drejtë’. E para është nëpërmjet përpjekjes dhe e dyta është nëpërmjet të besuarit. Kur ti përpiqesh që ta fitosh miratimin e Perëndisë me anë të performancës tënde, ti nuk mund të jesh kurrë i qetë sepse nuk mund të jesh kurrë i sigurtë se ke bërë mjaftueshëm për ta kënaqur Atë. Por kur ti e vendos besimin tënd në veprën e përfunduar të Krishtit në kryq, Bibla thotë se ti hyn në ‘prehjen’ e Perëndisë (shiko Hebrenjve 4:3). Pali shkruan: ‘Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re (diçka që nuk ka ekzistuar më parë); gjërat (dëshirat dhe veprimet) e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat (dëshirat dhe veprimet) u bënë të reja!’ (2 Korintasve 5:17 NIV, Botimi 2011). Ti nuk duhet të përpiqesh që të jesh i drejtë në sytë e Perëndisë. Në momentin që ti e vendos besimin tënd në Jezusin, Perëndia të ka bërë ty ‘drejtësinë e Perëndisë [në Krishtin]’ (v. 21 NIV, Botimi 2011). Përse e bëri Ai këtë? Sepse çdo drejtësi që ti mund të arrish me anë të veprave të mira dhe zbatimit të rregullave është shumë larg prej asaj që Ai kërkon dhe Ai e konsideron atë si ‘një rrobë e ndotur’ (shiko Isaia 64:6). Prandaj Perëndia ta dhuroi drejtësinë e Tij ty (shiko 2 Korintasve 5:18). Pali shkruan: ‘Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia i numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: “Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin”’ (Romakëve 4:6-8 NLT). Himnisti Edward Mote shkroi këto fjalë: ‘I veshur vetëm me drejtësinë e Tij, për të qëndruar të patëmetë përpara fronit. Unë qëndroj mbi Krishtin, Shkëmbin e fortë; çdo terren tjetër është rërë që zhytet’. Gëzohu! Kështu të shikon ty Perëndia – të drejtësuar me anë të besimit!