Shtigje frymërore (1)
26. qershor e premte
“Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua” Psalmi 119:5
Një shteg frymëror lidhet me mënyrën se si ti e ndjen më natyrshëm praninë e Perëndisë dhe përjeton rritjen frymërore. Të gjithë kemi të paktën një shteg që na vjen më lehtë. Dhe ka një liri të jashtëzakonshme kur e identifikon dhe e përqafon shtegun tënd shpirtëror. Kjo do të thotë se mund të përqendrohesh tek mënyra se si lidhesh me Perëndinë në atë mënyrë. Për disa ditë me rradhë do të shikojmë disa shtigje frymërore të ndryshëm dhe le të shohim se cili është i yti.
Së pari, le të shqyrtojmë shtegun intelektual. Kur je në këtë shteg, ti afrosh më shumë me Perëndinë duke mësuar më shumë për Të. Të pëlqen të studiosh Shkrimin. Kur shkon në kishë, shpesh e gjen veten duke pritur gjatë adhurimit muzikor derisa të fillojë predikimi. Kur përballesh me një krizë ose një sfidë frymërore, ti priresh ta zgjidhësh problemin në një mënyrë analitike. Ti identifikohesh me fjalët e Jezusit kur tha: “Do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë…mendjen tënde” (Luka 10:27). Rreziku i këtij shtegu është të bëhesh vetëm mendje dhe pa zemër.
Dallas Willard njëherë vuri re se është jashtëzakonisht e vështirë të kesh të drejtë dhe të mos lëndosh të tjerët me këtë. Prandaj Pali shkroi: “Njohuria krekos, kurse dashuria ndërton” (1 Korintasve 8:1). Përkthimi New Living Translation thotë: “Ndërsa njohuria na bën të ndjehemi të rëndësishëm, është pikësrisht dashuria ajo që e forcon kishën. Kushdo që pretendon se i di të gjitha përgjigjet, në të vërtetë nuk di shumë. Por personi që e do Perëndinë është ai që Perëndia e njeh” (1 Korintasve 8:1-3, NLT). Prandaj, sigurohu që rritja jote në njohuri të jetë e ekuilibruar me rritjen në përulësi dhe dashuri.

