L.U.T.U. (Ndalu, Ndero, Kërko, Dorëzohu)
1. qershor e hënë

“Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes” Veprat 6:4

Në librin e saj ‘30 Ditë për një Vetvete më të Fortë, më të Sigurt’, autorja Deborah Smith Pegues e përdor fjalën “lutu” si një akronim nga fjala në anglisht ‘pray’: Ndalu. Unë ndaloj çdo aktivitet dhe përqendrohem plotësisht te Perëndia. Adhurimi është përqendrim i plotë…Nderi dhe respekti më i madh që mund t’i japim dikujt është vëmendja jonë e pandarë.

Ndero. Unë shpreh admirimin tim për të gjitha atributet e Tij… Në këtë pikë, shpërqendrimet fillojnë të shfaqen si luleradhiqe… Papritur më kujtohet një detyrë që duhet ta shtoj në listën time të gjërave për të bërë. Kam mësuar ta shënoj atë detyrë në ditarin tim dhe t’i injoroj çështjet e tjera për atë që janë thjesht shpërqendrime që mund të trajtohen më vonë. Kam mësuar gjithashtu se lutja me zë ndihmon në minimizimin e mendimeve që enden…

Kërko. Kërkoj falje për mëkatet e mia, duke u përpjekur të jem sa më specifike. Lutem për fuqinë që të jetoj një jetë të krishterë dhe i kërkoj Perëndisë të më japë pasion për Fjalën e Tij dhe për lutjen. Kërkoj që vullneti i Tij të përmbushet në çdo aspekt të jetës sime: shpirtërisht, fizikisht, financiarisht, në marrëdhënie, profesionalisht dhe emocionalisht…

Dorëzohu. Duhet t’i nënshtroj kërkesat e mia vullnetit sovran të Perëndisë, duke besuar se Ai e di çfarë është më e mira. Përpiqem të ruaj një qëndrim “megjithatë”. Prandaj, jam e kujdesshme ta përfundoj lutjen time duke thënë: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” [shih Luka 22:42]… Thënia e vjetër se nuk ka rëndësi çfarë di, por kë njeh, ajo që të jep avantazh në një situatë, është e vërtetë — veçanërisht nga një këndvështrim shpirtëror. Kur kemi një marrëdhënie me Perëndinë, ne e kuptojmë se Ai është i mjaftueshëm për të përballuar çdo kërkesë që vendoset mbi ne.