Prekja e dorës së Tij
26. maj e martë

“Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi” Danieli 10:18

Në librin e saj ‘Një Dritë e Ngadaltë dhe e Sigurtë’, Elisabeth Elliott shkruan: “Kur unë jetoja në pyjet e Ekuadorit, zakonisht udhëtoja në këmbë…Shtigjet shpesh kalonin përmes përrenjve dhe lumenjve, të cilët duhej t’i kaloja duke ecur në ujë, por ndonjëherë kishte një trung lart mbi ujë, të cilin duhej ta kaloja. Unë i druhesha atyre trungjeve dhe shpesh tundohesha të zgjidhja rrugën e pjerrët e të vështirë poshtë në humnerë dhe lart nga ana tjetër. Por vendasit më thoshin: “Thjesht ec përtej, senjorita”, dhe kalonin lehtë e me vetëbesim. Edhe unë isha zbathur si ata, por kjo nuk mjaftonte. Mbi trung, nuk arrija të mos shikoja poshtë drejt lumit. Kisha frikë se do të rrëshqisja. Kurrë nuk kisha qenë e zonja për të ruajtur ekuilibrin… kështu që udhërrëfyesi im shtrinte dorën, dhe prekja e tij ishte gjithçka që më duhej. Unë pushova së shqetësuari për rrëshqitjen. Pushova së shikuari poshtë nga lumi apo edhe trungun dhe shikova udhërrëfyesin, i cili më mbante dorën vetëm me një prekje shumë të lehtë. Kur arrita në anën tjetër, e kuptova se, nëse do të kisha rrëshqitur, ai do të më kishte mbajtur. Prania e tij dhe prekja e tij ishin gjithçka që më duheshin”.

Kaq të duhet edhe ty: të përjetosh praninë e Perëndisë dhe të ndjesh prekjen e Tij. Danieli shkroi:
“Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi dhe tha: ‘O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua’. Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë” (vargjet 18–19).