Përmbushe detyrimin tënd ndaj Zotit
5. nëntor e enjte
“Ne jemi debitorë…” Romakëve 8:12
Pali shkroi: “Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit, sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni” (v. 12-13). Detyrim: nuk është fjala jote e parapëlqyer apo jo? Kjo ndodh sepse ne e interpretojmë atë në një dritë negative. Mos e mendo si diçka që duhet ta bësh, por si diçka që ke privilegjin ta bësh. Detyrimi ynë më i madh është njëkohësisht edhe mundësia jonë më e madhe—t’ia dorëzojmë jetën tonë zotërimit të Krishtit. A mund të mendosh për ndonjë privilegj më të madh sesa të përdoresh nga Perëndia për të ndihmuar në përmbushjen e qëllimeve të Tij të përjetshme? Fjala “detyrim” do të thotë të jesh i lidhur ligjërisht ose moralisht, dhe shembulli më i mirë mund të jetë martesa. Kur thua “Po” në altar, ti po e lidh veten “në të mirë e në të keq, në pasuri e në varfëri, në sëmundje e në shëndet, derisa vdekja të na ndajë.” Dhe kur hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë përmes lindjes së re, ndodhin dy gjëra: ne lidhemi ligjërisht dhe moralisht me Të, dhe Ai lidhet ligjërisht dhe moralisht me ne.
Ungjilli kërkon që ne t’i japim Perëndisë gjithçka nga vetja jonë. Por kur e bëjmë këtë, Perëndia na jep gjithçka nga Vetja e Tij. Mendo për përfitimet e një shkëmbimi të tillë! Nuk do të gjesh kurrë një marrëveshje më të mirë. Ky shkëmbim gjithashtu i jep Frymës së Shenjtë autoritet të plotë vendim-marrës. Por edhe një herë, ky është një detyrim i mirë. Pse? Sepse Ai do të të çojë në vende ku ti nuk mund të shkosh vetë dhe do të bëjë gjëra në ty dhe përmes teje që përndryshe do të ishin të pamundura.

