Ne jemi argjilë në duart e poçarit
11. nëntor e mërkurë

“Ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia” Jeremia 18:6

Gjatë një takimi një natë, një grua e moshuar po fliste me Perëndinë: “Nuk ka vërtet rëndësi çfarë bën Ti me ne, Zot, vetëm bëj vullnetin Tënd në jetën tonë”. Adelaide Pollard, një mësuese e njohur e Biblës që udhëtonte nga një vend në tjetrin, e dëgjoi atë lutje. Në atë kohë, ajo ishte thellësisht e dekurajuar sepse nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen që i duhej për të shkuar në Afrikë për shërbim misionar. Ajo u prek nga kërkesa e sinqertë e kësaj gruaje drejtuar Perëndisë dhe kur u kthye në shtëpi atë mbrëmje, meditoi mbi këto fjalë nga Shkrimi: “Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit dhe ja ai po bënte një punë te rrota. Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij. Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë: ‘O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?’, thotë Zoti. ‘Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia’” (Jeremia 18:3-6).

Para se të shkonte për të fjetur atë natë, Adelaide mori penën në dorë dhe shkroi një lutje që është bërë një himn i njohur: “Bëj vullnetin Tënd, Zot! Bëj vullnetin Tënd! Ti je poçari, unë jam argjila. Më formo dhe më bëj sipas vullnetit Tënd, ndërsa pres, i dorëzuar dhe i qetë. Bëj vullnetin Tënd, Zot! Bëj vullnetin Tënd! Më shqyrto dhe më sprovo, Mjeshtër, sot! Më i bardhë se bora, Zot, më pastro tani, ndërsa në praninë Tënde përulem me përulësi.” Çfarëdo që po kalon tani, kujto se ti je argjilë në duart e poçarit.