Këtë Krishtlindje afroju dikujt
24. dhjetor e mërkurë

“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” Gjoni 1:14

Ja një histori e bukur nga Kisha Presbiteriane “Fifth Avenue” në qytetin e Nju Jorkut. Ka të bëjë me një alkoolist në rikuperim të quajtur Xhim. Ishte Krishtlindja e tij e parë vetëm dhe kur një familje e re u ul afër tij në stol ai nuk mundi ta përballonte dot. Ndërsa po dilte nga kisha ai takoi pastorin Tomas Teduell, i cili e pyeti se ku po shkonte. “Për të pirë”, iu përgjigj ai. Teduell i tha: “Nuk mundesh. Ku e ke sponsorin tënd?”. “Me pushime”, iu përgjigj Xhimi. “Erdha sot për të kërkuar për fjalë shprese dhe përfundova ulur afër një familjeje të lumtur. Dhe nëse do ta kisha jetën në vijë, do të isha këtu me timen”. Ndërsa pastori shkoi drejt foltores ai u lut: “Zot, më jep një fjalë shprese për Xhimin”. Dhe pasi i mirëpriti njerëzit në kishë, ai tha: “Kam një kërkesë të pazakontë. Nëse ndonjëri këtu është mik i Bill W., dhe nëse je – do ta dish, të lutem më tako tek dhoma e mbledhjeve (Bill Wilson, i njohur më mirë si Bill W., bashkëthemelues i “Alcoholics Anonymous). Menjëherë njerëz nga e gjithë kisha filluan të përgjigjen. Siç vëzhgoi Dr. Teduell: “Ndërsa po predikoja për Mishërimin, Fjala po bëhej mish përpara syve të mi!”.

Këtë Krishtlindje shumë nga njerëzit rreth teje po vuajnë; ata kanë humbur shpresën. Prandaj, “Lëre Fjalën të bëhet mish”. Ngriji ata që kanë rënë, inkurajo të dëshpëruarit dhe shërbeji të sëmurëve, të vetmuarve dhe të harruarve. Jezusi tha: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40). Në vend që të merresh vetëm me veten tënde këtë vit, afroju dikujt. Bëje – do të jetë Krishtlindja më e bukur për ty!