Si po të ecën?
20. Prill E Martë

“Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë” Kolosianëve 4:6 NKJV

Drejtuesi i krishterë kinez Watchman Nee në librin e tij Punonjësi Normal i Krishterë (The Normal Christian Worker) i kushtoi një kapitull kujdesit ndaj asaj që thua dhe mënyrës se si e thua. “Për shkak të të folurës së papërmbajtur, dobishmëria e shumë punonjësve të krishterë kufizohet në mënyrë serioze. Në vend që të jenë instrumenta të fuqishëm në shërbim të Zotit, shërbesa e tyre ka shumë pak ndikim për shkak të humbjes së vazhdueshme të fuqisë nëpërmjet të folurës së tyre të pakujdesshme”.

Pali shkruan: “Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë”. Kjo do të thotë se kur ti flet, sigurohu që të jetë me kripë. Dhe pamja në fytyrën tënde dhe toni i zërit tënd mund të përcaktojë nëse një person e pranon ose e refuzon atë që po thua. Eugene Peterson i perifrazon fjalët e Palit në këtë mënyrë: “Jini të hirshëm në të folurën të tuaj. Qëllimi është që në një bisedë të jepni më të mirën tek të tjerët, të mos i ulni poshtë ata, të mos i ofendoni” (MSG). Pali shkruan sërish: “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë” (Efesianëve 4:29 NLT).

Prandaj, përpara se të flasësh kontrollo sjelljen dhe pyet veten: “Në ç’gjendje humori jam tani?”. Dhe mos ndalo me atë pyetje. Pyete veten gjithashtu: “Ajo që do të them a do të ndihmojë apo do të lëndojë, do të qartësojë apo do të turbullojë, do të më bëjë mua të ndjehem mirë apo personin tjetër të ndjehet mirë?”. Duke e ditur prirjen e tij për të thënë gjënë e gabuar, Davidi u lut: “O Zot, vër një roje para gojës sime. Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe” (Psalmi 141:3-4 NLT). Nuk është e mjaftueshme që të jesh i talentuar në jetë; për të pasur sukses në jetë ti duhet të flasësh me mençuri.