Vazhdo përpara pa u dorëzuar
31. gusht e hënë

“Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.” Galatasve 6:9

Disa nga njerëzit më të suksesshëm në botë u thanë nga të ashtuquajtur “ekspertë” se nuk kishin atë që duhej për të pasur sukses në profesionet që kishin zgjedhur. Në vitin 1927, Lucille Ball u informua nga një instruktor në Shkollën e Dramës “John Murray Anderson”: “Provo ndonjë profesion tjetër. Cilindo tjetër.” “Universal Pictures” i largoi si Clint Eastëood-in ashtu edhe Burt Reynolds-in, duke pretenduar se Reynolds nuk kishte talent dhe se Eastëood fliste shumë ngadalë. Malcolm Forbes, redaktori i ndjerë i përgjithshëm i revistës “Forbes”, nuk arriti të bëhej pjesë e stafit të gazetës së universitetit të tij kur ishte student në Universitetin “Princeton”. Drejtuesit e kompanisë diskografike “Decca” reaguan negativisht ndaj audicionit të katër muzikantëve të rinj, duke thënë: “Nuk na pëlqen tingulli i tyre. Grupet me kitara janë drejt zhdukjes.” Kështu që Beatles-at e çuan tingullin e tyre diku tjetër. Për shtatë vjet me radhë, një shpikës i ri me emrin Chester Carlson ua paraqiti idenë e tij njëzet korporatave, por të gjitha e refuzuan. Më në fund, kompania “Haloid” bleu të drejtat për procesin e tij elektronik të kopjimit në letër. Dhe “Haloid” u bë “Xerox”.

Mos u dekurajo nëse tani nuk po gjen pranimin dhe suksesin që dëshiron. Historia jote është ende duke u shkruar! Bibla thotë: “Që të mos bëheni përtacë, por t'u përngjani atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.” (Hebrenjve 6:12). Besimi dhe durimi janë dy cilësitë që do të të sjellin sukses. Kjo është arsyeja pse apostulli Pal shkroi: “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.”