Si të zbulosh vizionin tënd (5)
8. Dhjetor E Mërkurë

“Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar” Fjalët e Urta 29:18 KJV

Nga viti 1923 deri më 1955, Robert Woodruff kryesoi kompaninë Coca-Cola. Ai donte që pija të ishte e disponueshme për çdo punëtor amerikan për pesë cent, pavarësisht sa i kushtonte kompanisë. Ky është një qëllim i guximshëm! Por ishte modest në krahasim me pamjen e madhe që ai kishte në mendje. Gjatë jetës së tij, Woodruff donte që çdo njeri në botë të provonte Coca-Cola. Vëreni tre gjëra:
1) Vizioni fillon nga brenda. Kur shikon brenda vetes, çfarë sheh? Ti nuk mund ta blesh, ta lypësh apo ta marrësh hua një vizion; duhet të shohësh përbrenda dhe të shfrytëzosh dhuntitë dhe dëshirat e tua të lindura. Për çfarë ke pasion? Për çfarë mendon shumicën e kohës? Për çfarë lutesh? Për çfarë do të ishe i gatshëm të sakrifikoje çdo gjë? Dëshira jote më e qëndrueshme do të tregojë fatin tënd.

2) Vizioni tërhiqet nga historia jote. Moisiu u rrit në rehatinë e pallatit të Faraonit duke dëgjuar klithmat e skllevërve hebrenj. Kjo përvojë e përgatiti atë për të udhëhequr eksodin. Vizioni nuk është ndonjë cilësi mistike që mishërohet nga asgjëja; është e ndërthurur me të kaluarën tënde dhe historinë e njerëzve përreth teje. Nëse vizioni yt vjen nga Zoti, nuk do të përfitosh vetëm ti, por edhe të tjerët rreth teje.

3) Vizioni tërheq burimet. Një nga shenjat dalluese të vizionit është që ai vepron si një magnet – duke tërhequr, sfiduar dhe bashkuar njerëzit. Ai mbledh financat dhe burimet e tjera, dhe sa më i madh vizioni, aq më shumë njerz të suksesshëm duhet të tërheqë ai. Sa më sfidues vizioni, aq më fort do t’i duhet pjesëmarrësve të luftojnë për ta arritur. Prandaj, kërkoji Zotit të të jap një vizion për jetën tënde dhe shiko se si do të realizohet.