Shtatë bijtë e Skevit (1)
22. Tetor E Premte

‘Dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar’ Veprat 19:17 NKJV

 

Bibla thotë: ‘Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit, aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre. Dhe disa yshtës shëtitës Judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: “Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!”. Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude. Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: “Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?”. Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur. Kjo u muar vesh nga të gjithë Judenjtë dhe Grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar’ (v. 11-17 NKJV).

Kjo histori duhet të shërbejë si një paralajmërim për ata që mendojnë: ‘Nëse ata mund të bëjnë diçka, atëherë edhe unë mund ta bëj!’. Nuk është e vërtetë. Nëse Perëndia nuk të thërret dhe nuk të pajis për ta bërë atë gjë, ka shumë mundësi që ti do të rrëzohesh me fytyrë përtokë! Perëndia nuk të fuqizon që të bësh gjënë tënde; Ai të fuqizon që të bësh gjënë e Tij!

E vërteta është që ti mund ta përdorësh me efektivitet emrin e Jezusit vetëm: a) Kur ti e pranon Atë si Shpëtimtarin dhe Zotin tënd. b) Kur ti ke një marrëdhënie intime me Të. c) Kur ti qëndron në Fjalën e Tij dhe praktikon parimet e saj në jetën e përditshme. Kur ti e bën këtë, sa herë që do e përdorësh emrin e Jezusit ti do të jesh i mbrojtur dhe i siguruar prej autoritetit që gjendet në emrin e Tij.