Dhënie me përparësi
1. nëntor e diel
“Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke” Fjalët e Urta 3:9
Nga të gjitha zërat në buxhetin tënd mujor, dhënia ndaj Perëndisë duhet të jetë përparësia jote kryesore—jo thjesht një përparësi, por e para dhe më e larta. Izraelitët ishin kryesisht një popull që merrej me bujqësi. Duke pasur këtë parasysh, lexo këtë premtim të mrekullueshëm që Perëndia u bëri atyre dhe përqafoje si tëndin: “Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht” (v. 9-10). Vëre fjalët “prodhimet e para të çdo të ardhure”. Kjo do të thotë se përpara se të paguash kredinë e shtëpisë, të blesh ushqime apo të paguash fatura të tjera, pagesa e parë që duhet të bësh është ndaj Perëndisë.
Ja pse: Nëse pret derisa të përmbushen më parë shpenzimet e tjera, kjo do të ndikojë në shumën përfundimtare të asaj që jep. Kështu funksionon me përparësitë. Çfarëdo që vendos në vend të parë do të ketë përparësi mbi gjithçka që vjen pas saj. Bujaria duhet të jetë shtysa kryesore pas planit tënd të dhënies. Dhe bujaria jote zakonisht është më e madhe menjëherë pasi merr furnizimin. Të presësh derisa ai furnizim të pakësohet dhe të zvogëlohet nga detyrimet mujore ka prirjen ta zbehë bujarinë. Megjithatë, nëse i jep përparësi dhënies tënde, atëherë gjithçka tjetër do të zërë vendin e vet të duhur pas përparësisë së veprës së Perëndisë. Nderoje Perëndinë me pjesën e parë të të ardhurave të tua në vend që t’i japësh Atij mbetjet. Kjo do të thotë që kur merr pagën tënde, hiq fillimisht pjesën që i takon Perëndisë. Pastaj përdor atë që mbetet për të përmbushur nevojat e tua, si pagesa e faturave apo blerja e ushqimeve. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi “dhënie me përparësi”.

