Jezusi është në këndin tënd (1)
28. gusht e premte

“Në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” 1 Gjonit 2:1

Ndoshta nuk e njeh emrin Angelo Dundee, por pa dyshim ke dëgjuar për kampionin botëror të boksit Muhammed Ali. Për më shumë se dy dekada, Angelo ishte në këndin e Muhammed Ali-ut – fjalë për fjalë. Ai ishte njeriu i tij në kënd! Ai ka trajnuar gjithashtu edhe kampionë të tjerë botërorë të boksit.

Një nga përshkrimet më të bukura për Jezusin është ky: “Ai është njeriu ynë në kënd!” “Në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” Në letrën e tij drejtuar Timoteut, Pali na nxit të “luftojmë luftën e mirë” (1 Timoteut 6:12). Dhe ti do të rrëzohesh një ose dy herë. Por ti ke një njeri në kënd, i cili një herë luftoi tre raunde me vetë vdekjen. Ai u rrëzua në kryq, por u ngrit përsëri pas tre ditësh. Ai doli nga varri, duke fituar betejën kundër mëkatit dhe vdekjes. Ku është Ai tani? Ai është në të djathtën e Atit, duke ndërmjetësuar për ty. Me fjalë të tjera, Krishti është në këndin tënd! Dhe Ai nuk është i vetmi.

Jezusi e quajti Frymën e Shenjtë “Parakletin”, që në shqip përkthehet si ‘ngushëllues’ dhe ‘këshilltar’. ‘Paraklet’ është një term ushtarak që i referohet ushtarëve romakë, të cilët luftonin shpinë më shpinë kur përfshiheshin në luftim trup me trup. Ata mbronin anën e verbër të njëri-tjetrit dhe pikërisht këtë bën Fryma e Shenjtë. Fryma e Shenjtë të mbron nga prapa. Dhe Krishti është në këndin tënd. Profeti Isaia e quan Atë mbrojtjen tonë nga prapa: “Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj” (Isaia 52:12). Ti nuk ke vetëm një anëtar të Hyjnisë që ndërmjetëson për ty – ti ke dy!