Rreziku i ngritjes në detyrë shumë shpejt
26. Nëntor E Premte

‘Mos i vër duart askujt me ngut [për ta bërë drejtues]’ 1 Timoteut 5:22 NLT

 

Përpara se Davidi të bëhej mbret i Izraelit, ai kaloi vite të tëra duke ruajtur një tufë delesh në shkretëtirë. Ky nuk është një fillim që të bën përshtypje. Por pikërisht atje ai ndërtoi marrëdhënien e tij me Perëndinë dhe përsosi aftësitë e tij si strateg dhe luftëtar. Nëse do të kesh sukses, ja ku ke një parim të pandryshueshëm të cilin duhet ta kuptosh: Perëndia do të të japë mundësinë të praktikohesh në një vend ku dobësitë e tua mund të trajtohen, dhuntitë e tua të zhvillohen dhe ku gabimet e tua nuk do të ndikojnë shumë persona.

Një mësues biblik tregon për një mik pilot, i cili mori një urdhër nga kulla e kontrollit: ‘Mund të ngrihesh në një mijë e pesëqind metra’. Kur ai e arriti atë lartësi, iu tha që të priste për udhëzzime të mëtejshme. Më pas iu tha: ‘Mund të ngrihesh në tre mijë metra’. Në mënyrë graduale, kontrollori e kaloi atë nga njëri nivel në tjetrin deri sa u ngrit në dhjetë mijë metra lartësi gati për të fluturuar drejt destinacionit të tij. Atë ditë, Perëndia i foli atij duke i thënë: ‘Sa do të doja të më besoje Mua në këtë mënyrë. Në vend të kësaj, ti do të ngjitesh menjëherë në dhjetë mijë metra lartësi!’. Kupto këtë: Perëndia e sheh fundin që në fillim dhe Ai e ka hartuar udhëtimin tënd. Ai e di, se nëse ngrihesh menjëherë, ka rreziqe. Ti mund të jesh në kabinën e pilotit – por Perëndia është në kullën e kontrollit!

Dhe Sot Ai po të thotë: ‘Më beso dhe Unë do të të çoj të sigurt në destinacion’. Plani i Perëndisë për jetën tënde nuk mund të nxitohet. Kur përpiqesh që të ngrihesh shumë shpejt në detyrë: 1) ti bën gabime që kushtojnë dhe gabime të dhimbshme, 2) ti i ndikon negativisht jetët e atyre që varen nga ti dhe 3) ti përfundon në një luftë me Perëndinë, të cilën sigurisht që do e humbasësh!