Perëndia mund të të shërojë (1)
2. tetor e premte

“Po, unë dua, shërohu!” Mateu 8:3

Bibla thotë: “Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ‘O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh’. Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Po, unë dua, shërohu’. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.” (v. 2-3). Perëndia nuk dëshiron që ne ta kalojmë jetën duke u pyetur nëse është vullneti i Tij të na shërojë apo jo. Prandaj Ai, me hirin e Tij, na dha Fjalën e Vet. Davidi tha: “O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.  O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë” (Psalmi 30:2–3).

Perëndia është kaq serioz për shërimin tonë, saqë e lidhi atë me vdekjen e Jezusit në kryq. “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24). Ne nuk dyshojmë në fitoren e Krishtit mbi vdekjen në kryq, as në shpëtimin tonë për shkak të saj. Po kështu nuk duhet të dyshojmë as në vullnetin e Atit për të na shëruar. Vini re fjalët: “me vurratat e tij ju u shëruat”. Ato janë në kohën e shkuar. Nga këndvështrimi i Perëndisë, gjithçka që nevojitej për shërimin tënd u përmbush në kryq. Ky lebroz e dinte që Jezusi mund ta shëronte; ai thjesht nuk e dinte nëse Ai do ta bënte. Jezusi e largoi dyshimin e tij me tri fjalë të fuqishme: “Po, unë dua.” Dhe pastaj tha: “Shërohu!” (Mateu 8:3). Bibla tregon se lebra e atij njeriu u zhduk menjëherë. Ajo gjithashtu thotë: “Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përjetë” (Hebrenjve 13:8). Kjo do të thotë se mund të shkosh tek Ai me besim dhe të besosh për shërimin tënd.