Momenti më i madh në jetën tënde është tani!
21. gusht e premte

“Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.” Psalmi 118:24

Momenti më i madh në jetën tënde është tani! Jo sepse është i këndshëm, i lumtur ose i lehtë, por sepse është momenti i vetëm që ke. Çdo moment i kaluar ka shkuar përgjithmonë. Nuk kthehet më. Nëse jeton atje, e humbet jetën tënde. E ardhmja gjithmonë është atje diku përtej. Mund të kalosh një jetë të tërë duke pritur nesër ose duke u shqetësuar për nesër. Nëse jeton atje, njësoj do ta humbësh jetën tënde. Ky moment është dhurata e pakthyeshme e Perëndisë për ty. Më e rëndësishmja, ky është momenti që ka vlerë, sepse ky është momenti ku Perëndia është. Nëse do të jesh me Perëndinë, duhet të jesh me Të tani—në këtë moment. Kjo është arsyeja pse Psalmisti thotë: “Kjo është dita që Zoti e ka bërë; do të gëzohemi dhe të kënaqemi në të.” Kjo është arsyeja pse profeti Jeremia tha se mëshirat e Perëndisë nuk dështojnë kurrë, sepse “ato janë të reja çdo mëngjes” (Vajtimet 3:23). Kjo është arsyeja pse apostulli Pali tha: “Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes … duke e shfrytëzuar kohën … kuptoni cili është vullneti i Zotit.” (Efesianëve 5:15-17).

Frederick Buechner shkroi: “Mëngjes, pasdite, mbrëmje—orët e ditës, të çdo dite, të ditës tënde dhe të ditës sime. Alfabeti i hirit. Nëse ka një Perëndi që flet diku, sigurisht që Ai flet këtu: përmes zgjimit dhe punës, përmes largimit dhe kthimit, përmes njerëzve që takon dhe librave që lexon, përmes të fjeturit në errësirë.” E gjithë kjo do të thotë një gjë — momenti më i madh në jetën tënde është tani.