Hapat drejt faljes (1)
24. Mars E Premte
“Duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri” Kolosianëve 3:13
Mjerimi i të jetuarit pa falje në zemrën tënde gjithmonë zgjat më shumë se dhimbja e të keqes që të është bërë. Gjithmonë! Kur i përmbahesh urrejtjes, ti i hap një derë depresionit dhe sëmundjes fizike. Falja sjell shërimin e plagëve të tua dhe të rikthen gëzimin.
Ja dy hapa të cilët të ndihmojnë të falësh: 1) Kujto se je falur pa kushte. Rikujto hirin e Perëndisë ndaj teje dhe çmimin që Ai pagoi për faljen tënde. Duke mos dashur të tregosh mëshirë, ti je si ai për të cilin Jezusi tha se i ishte falur një borxh shumë i madh, megjithatë nuk ishte i gatshëm të falte borxhin e vogël të një tjetri ndaj tij (shiko Mateu 18:23-34). Hiri që Perëndia të ka dhënë nuk të lë vend për t’i mohuar të njëjtin hir atij që të ka lënduar.
2) Falja borxhin atij që të ka borxh. Mund të kesh shumë të drejtë kur thua: “Më ka borxh për atë që më ka bërë!”. Miqtë e tu mund të bien dakord. Ligji mund të jetë dakord dhe ti mund të mendosh se e vetmja mënyrë që fajtori të “mësojë atë që është e drejtë” është nëse ai detyrohet të japë llogari për shkeljen që ka bërë. Por për sa kohë që mbështetesh tek “të drejtat” e tua, do të jesh i lidhur nga e kaluara. Ajo të mban në dorë dhe e ardhmja jote mbahet peng nga kontrolli i të kaluarës mbi ty. Mëkati i shkelësit tënd ndaj teje u pagua me të njëjtën dashuri sakrifice që lau mëkatin tënd, prandaj ai ka të njëjtën nevojë dhe të drejtë për falje ashtu si dhe ti. Dhe ka akoma më shumë; falja nuk është vetëm për të mirën e tyre, por për tënden: “Falni dhe do të jeni të falur” (Luka 6:37, NIV).