Dështimi më i keq…është dështim për të provuar
18. maj e hënë

“Ji i fortë dhe trim…sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” Jozueu 1:9

Është e pamundur të jetosh me sukses pa ndërmarrë rreziqe. Leo Buscaglia shkroi: “Të qeshësh do të thotë të rrezikosh të dukesh si budalla. Të qash do të thotë të rrezikosh të dukesh sentimental. Të ndihmosh dikë tjetër do të thotë të rrezikosh përfshirjen… Të vendosësh idetë dhe ëndrrat e tua para turmës do të thotë të rrezikosh të quhesh naiv. Të duash do të thotë të rrezikosh të mos të të duan në këmbim. Të jetosh do të thotë të rrezikosh të vdesësh. Të shpresosh do të thotë të rrezikosh dëshpërimin dhe të përpiqesh do të thotë të rrezikosh dështimin. Por rreziqet duhen ndërmarrë, sepse rreziku më i madh në jetë është të mos rrezikosh asgjë… Vetëm personi që rrezikon është vërtet i lirë”.

Franklin Roosevelt e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar me sëmundjen dhe ishte i kufizuar në një karrige me rrota. Megjithatë, ai u bë një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës. Ai tha: “Është logjike të zgjedhësh një metodë dhe ta provosh atë”. Nëse dështon, pranoje sinqerisht dhe provo një tjetër. Por mbi të gjitha, provo diçka”. Në “Ndjekja e Ekselencës”, Ted W. Engstrom jep këtë këshillë për rëndësinë e përpjekjes: “Duke filluar që sot, mund të filloni të shijoni përdorimin dhe zhvillimin e dhuntive tuaja… Nëse gjithmonë keni dashur të shkruani, atëherë shkruani diçka, një artikull të shkurtër, një poezi, një rrëfim për pushimet tuaja. Shkruajeni sikur do të botoheni; pastaj paraqiteni diku. Nëse jeni fotograf, mblidhini fotot tuaja më të mira së bashku dhe paraqitini ato si pjesëmarrje në një konkurs. Nëse mendoni se jeni një lojtar tenisi ose golfi i mirë, merrni pjesë në disa turne dhe shikoni se si do të shkoni. Mund të mos e fitoni çmimin kryesor, por mendoni se sa shumë do të mësoni dhe përjetoni vetëm duke provuar. Dështimi më i keq…është dështim për të provuar!”.