Mos e humb vizionin tënd!
23. Nëntor E Mërkurë

“Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar” Fjalët e Urta 29:18 KJV

Perëndia ka një plan për jetën tënde; një plan i cili do të të ndihmojë të shohësh se çfarë është vërtetë e rëndësishme. Quhet një “vizion”. Në të kundërt, gjërat duken të turbullta dhe përfundon duke mos ditur se ku duhet të shkosh. Atletët përqëndrohen tek një gjë e vetme: të fituarit!  Për ta bërë këtë, ata sakrifikojnë marrëdhënie, kohën e lirë dhe kënaqësitë. Eugene Peterson e përshkruan “vizionin” kështu: “Nëse njerëzit nuk mund ta shohin çfarë Perëndia po bën, ata bëhen të shfrenuar; por kur ata marrin pjesë tek ajo që ai zbulon, ata janë mëse të bekuar” (vargu 18, MSG).

Kur Perëndia të jep një vizion, ti fillon t’i shohësh gjërat ashtu siç Ai i shikon. Moisiu “pa” tokën e premtuar kur të gjithë rreth tij shihnin vetëm shkretëtirë dhe donin të dorëzoheshin e të ktheheshin në Egjipt (shiko Hebrenjve 11:24-27). Dhe ai e kuptoi se do të arrinte atje sipas programit të Perëndisë, sipas planit të Perëndisë, hap pas hapi. Ndonjëherë vizioni yt mund të duket shumë i madh për ty. Ndaj duhet ta ndash vizionin në hapa të vegjël dhe ta përfytyrosh veten duke hedhur hapin tjetër. Do të habitesh me përparimin tënd. Por derisa të hedhësh hapin e parë, vizioni është thjesht ëndërr me sy hapur.

Një klerik britanik me emër Frederick Langbridge shkroi: “Dy burra panë nga hekurat e burgut. Njëri pa baltë, tjetri pa yjet”. Çfarë shikon në të ardhmen tënde? A mendon se Perëndia do të ta hedhë suksesin nga qielli? Jo, ti duhet ta fuqizosh vizionin tënd me besim dhe t’i japësh shtysë duke punuar fort për të. Pasi kishin peshkuar gjithë natën dhe nuk kishin kapur gjë, Jezusi i tha dishepujve të Tij: “Shko në të thella dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk" (Luka 5:4 KJV). Kur ata u bindën, ata kapën më shumë seç kishin kapur ndonjëherë. Si përfundim: nuk është bota ajo që kontrollon furnizimin për nevojat e tua, por Perëndia!