Dhe ndodhi që—nuk qëndroi
5. maj e martë

“Dhe ndodhi që…” Zanafilla 4:3

Në Bibël ekziston një frazë e vogël që përsëritet 436 herë: “Dhe ndodhi që…”. Cilado qoftë sprova që po kaloni sot, kujtojini vetes: “Ndodhi, por nuk qëndroi”. Nëse përmbushja e vizionit që ju dha Perëndia duket se po zgjat më shumë nga sa mendonit, kujtojini vetes se “do të ndodhë!”. Në biografinë e tij, “Zoti në Qoshen Time”, kampioni dy herë i botës në peshat e rënda, George Foreman, tregon një histori për një grua të moshuar të cilës iu kërkua vargu i saj i preferuar nga Shkrimi i Shenjtë. Ajo u përgjigj: “Dhe ndodhi që…”. Ajo shpjegoi pse: “E di që sa herë që vjen një sprovë, ajo nuk vjen për të qëndruar; ajo vjen, për të kaluar”. Dhe Shkrimi i Shenjtë në anën tjetër të kësaj monedhe thotë: “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” (Filipianëve 1:6). Me fjalë të tjera, Ai do të bëjë që të ndodhë! Sido që të jetë, Perëndia gjithmonë e përfundon atë që nis. “Sepse vegimi është për një kohë të caktuar…nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë” (Habakuku 2:3).

Duke luftuar me një sëmundje që i kërcënonte jetën dhe armiq që donin t’i merrnin fronin, Davidi iu drejtua Zotit për ndihmë. Dhe Perëndia nuk e zhgënjeu. Lexoni këto dy Shkrime dhe qëndroni në to: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmi 30:5). “Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim, me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë”  (Psalmi 30:11-12).