E lejueshme apo e dobishme?
25. qershor e enjte

“Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme” 1 Korintasve 10:23

Perëndia mund të të çlirojë nga çdo gjë në një ditë të vetme, por ti duhet ta mbështesësh këtë me disiplinë të përditshme. Nëse nuk e praktikon disiplinën shpirtërore çdo ditë, çlirimi yt do të jetë i shkurtër. Do të kthehesh tek ajo nga e cila Perëndia të çliroi. Çdokush mund të vendosë një qëllim jetësor; pjesa e vështirë është ta ndjekësh çdo ditë. Ti mund të vish në formë fizikisht duke bërë ushtrime çdo ditë. Ti del nga borxhi duke paguar çdo muaj. Çfarëdo qëllimi që të kesh, duhet të ndërmarrësh një hap çdo herë, ditë pas dite! Vër re se Pali nuk tha thjesht: “Mos ecni sipas mishit”, por gjithashtu tha të ecim “sipas Frymës” (shiko Romakëve 8:4). Të vendosësh se je kundër diçkaje është vetëm gjysma e betejës. Gjysma tjetër është të vendosësh se ke për qëllim diçka.

Dallas Willard njëherë tha: “Të mos shkosh në Londër ose Atlanta është një plan i dobët për të shkuar në Nju Jork”. Kjo është e qartë, por shumë prej nesh e përqendrojnë formimin shpirtëror në këtë mënyrë. Ne përpiqemi të mos bëjmë mëkat duke mos bërë mëkat. Por nëse je i përqendruar tek ajo që nuk duhet të bësh — ka të ngjarë të mos bësh atë që duhet. Jezusi tha: “Unë do ta ndërtoj kishën time; dhe portat e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:18). Jezusi nuk tha se ti do të ndërtosh kishën tënde. Nuk është e jotja; është e Tij. Dhe kjo vlen për biznesin tënd, shkollën tënde, familjen tënde, etj. Nuk është e jotja; është e Tij. Pra, presioni mbi ty është hequr. Dhe nëse je i përqendruar të ecësh në bindje, Ai do t’i luftojë betejat e tua për ty!