Refuzo të jetosh në frikë (2)
28. Maj E Diel

‘Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë’ Psalmi 118:6 NKJV

Perëndia të ka krijuar për një jetë me rritje, aventurë dhe ecje përpara. Por ty të duhet të marrësh hapa të guximshëm besimi. Dhe ti nuk mund ta bësh këtë nëse je krejtësisht i kënaqur që të jetosh në ‘zonën e sigurt’. Madje edhe kur ndjehesh i frikësuar, mos e lejo atë që të të ndalojë! Ndjeje frikën dhe bëje atë gjë gjithsesi! Ti thua: ‘A do të ndaloj së pasuri frikë?’. Po, kur të shkosh në qiell. Të ndjesh frikë është pjesë e të qënurit i gjallë. Ti do të përjetosh frikë kur provon diçka për herë të parë ose kur pengesat në shtegun tënd duken të pakapërcyeshme ose kur ti sheh që burimet e tua nuk janë të barabarta me sfidën. Asnjë prej këtyre nuk do të thotë se je një frikacak; thjesht do të thotë se je njeri. Ti je frikacak vetëm kur i lejon frikërat e tua që të kontrollojnë veprimet dhe vendimet e tua.

Të ndjesh frikë është thjesht tundimi për t’u arratisur prej asaj me të cilën duhet të përballesh. Të ndjesh frikë nuk është njësoj si të jesh i frikësuar, sepse të jesh i frikësuar do të thotë që t’i lejosh ndjenjat plot frikë që të të kenë nën kontroll. Por ti nuk ke pse ta lejosh këtë. Ti mund të ndjesh zemërim dhe të zgjedhësh të mos veprosh sipas tij, e në vend të tij të reagosh me falje dhe dashuri. Në të njëjtën mënyrë ti mund ta ndjesh frikën dhe të mos e lejosh atë që të marrë vendimet e tua.

‘Sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”’ (Hebrenjve 13:5-6 NKJV). Vëri re këto dy fraza: ‘Vetë Perëndia ka thënë’ dhe ‘mund të themi me plot besim’. Prandaj, sot qëndro në Fjalën e Perëndisë dhe deklaro: ‘Unë nuk do të jetoj në frikë’.