Bëje Perëndinë burimin e vetë-vlerësimit tënd
29. tetor e martë
‘Sepse ti je i çmuar në sytë e mi’ Isaia 43:4
Gjeje se kush ka thënë: ‘Ti je i çmuar për mua’? Perëndia. Prandaj, mos lejo askënd të të thotë të kundërtën. Sepse të kuptosh se kush je si person dhe të besosh sinqerisht se ti e meriton dashurinë dhe vëmendjen prej një personi tjetër është thelbësore për vetë-vlerësimin tënd.
Aftësia për ta përcjellë këtë me sukses dhe në mënyrë të kujdesshme është thelbësore për çdo marrëdhënie reciproke të shëndetshme dhe të kënaqshme. Një ndjenjë vetë-vlerësimi nuk është arrogancë. Ajo të ndihmon që të vendosësh kufij dhe të garanton se pavarësisht se kë do takosh, këta kufij nuk do të shkelen kurrë.
Shpesh kur ne ndjehemi të përdorur në marrëdhënie, kjo ndodh për shkak se ne kemi lejuar që këta kufij të shkelen. Ose më e keqja, ne nuk kemi menduar kurrë se ku duhet të jenë kufijtë. Mënyra për ta parandaluar këtë situatë është që të jesh i qartë për atë që je dhe për atë që je i gatshëm të bësh në një marrëdhënie. Mospërfillja e së vërtetës për një person tjetër ose veten, mund të jetë në rregull përkohësisht, por me kalimin e kohës, zakonisht çon në katastrofë. Duke pasur një themel të fortë të njohjes së vetes dhe të asaj që përfaqëson, ti do të zotërosh guximin që të bësh pyetjet e duhura dhe të dallosh përgjigjet. Ti do të marrësh informacion dhe dëshmi që do të të ndihmojnë të kuptosh se kush është me të vërtetë ai person dhe nëse mund të bëhet pjesë e jetës tënde. Ti do të jesh i vërtetë me veten tënde dhe të tjerët përsa i përket asaj që je, nevojave të tua dhe mënyrës se si dëshiron ta jetosh jetën. Jashtë marrëdhënies tënde me Perëndinë, nuk ka asnjë marrëdhënie tjetër më të rëndësishme se sa ajo që ke me veten tënde. Perëndia thotë: ‘Ti je i çmuar në sytë e mi’. Besojë këtë dhe jeto sipas kësaj.
Mirënjohje
29 Tetor: Jakes, 64 Mësime Për Një Jetë Pa Kufij, 20.