Pse smund të punojmë së bashku (2)
5. korrik e shtunë
"Bëj ç'ke për zemër; shko përpara.” 1 Samuelit 14:7
Arsyeja e dytë: naiviteti. Një fjalë e urtë kineze thotë: “Pas një burri të aftë ka gjithmonë burra të tjerë të aftë”. Edhe nëse mund ta bësh punën vetëm, a nuk është gjë e mençur të ndalosh dhe të pyesësh: “Kë njoh që mund të më ndihmojë ta bëj më mirë?”. Kjo pyetje bën ndryshimin midis mediokritetit dhe përsosmërisë. Këshilltari i biznesit John Ghegan mban një thënie në tavolinën e tij të punës që thotë: “Nëse do më duhej ta bëja të gjithën nga e para, do kërkoja ndihmë”. Të gjithëve na duhet kjo thënie! Kur ke disa fitore të tuat, rrezikon të mendosh se mund të bësh çdo gjë vetëm. Por kur ëndrra jote është nga Zoti, do të jetë gjithnjë e më e madhe se kapaciteti dhe dhuntitë e tua individuale, që do të thotë se do të duhet të kërkosh ndihmën e të tjerëve.
Dy burra, Jonathani dhe mbajtësi i armaturës së tij, vranë një garnizon të tërë Filistejsh. Si? “Jonathani i tha shqyrtarit të ri: “Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz”. Shqyrtari i tij iu përgjegj: “Bëj ç’ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote” (vargjet 6-7). Jonathani, drejtuesi, kishte nevojë për inkurajimin dhe mbështetjen e shqyrtarit të tij. Dhe shqyrtari kishte nevojë për kurajon dhe drejtimin e Jonathanit. Së bashku ata arritën gjëra të mëdha për Perëndinë. E vërteta është se puna në grup qëndron në thelb të fitoreve të mëdha. Pyetja nuk është nëse skuadrat kanë vlerë; është nëse ti je i përulur mjaftueshëm që ta kuptosh atë fakt dhe të bëhesh një lojtar më i mirë skuadre.