Qëndrimi i duhur (2)
9. maj e enjte

“Çdo gjë është e mundshme për atë që beson” Marku 9:23, NKJV

Demosteni, i cili njihej si oratori më i mirë në Greqinë e lashtë, i merrej goja. Legjenda thotë se ai e rregulloi atë duke recituar vargje me guralecë në gojë dhe duke folur me zë më të lartë se zhurma e dallgëve në bregdet. Si një i burgosur në kështjellën Wartburg, Martin Luteri e përdori kohën duke përkthyer Dhiatën e Re në gjermanisht. Bethoveni i shkroi kryeveprat e tij më të mëdha simfonike pasi kishte humbur dëgjimin. John Bunyan shkroi “Rruga e Shtegtarit” kur ishte në burg. Daniel Defoe gjithashtu shkroi në burg, duke krijuar “Robinson Kruzo”. Abraham Linkoln mendohet nga shumë njerëz si presidenti më i mirë i Shteteve të Bashkuara, por ai me shumë mundësi nuk do të ishte njohur si një drejtues i madh nëse nuk do ta kishte drejtuar vendin gjatë Luftës Civile.

Shpesh herë, situatat e vështira duken se janë të përfshira në bërjen e drejtuesve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Por kjo ndodh vetëm kur qëndrimet e tyre janë të drejta. Kur një problem bie në kontakt me dikë që ka një qëndrim të duhur, rezultati shpesh është i mahnitshëm. Nga trazirat e mëdha dalin diplomatë të mëdhenj, tregtarë, shkencëtarë, mësues, pastorë e të tjerë.  Çdo sfidë është një mundësi dhe çdo mundësi ka një sfidë. Por është qëndrimi me të cilin ti e përball problemin tënd që ndikon përfundimin.

Kur një burrë, biri i të cilit nuk mund të dëgjonte ose të fliste, i kërkoi Jezusit që ta shëronte, Jezusi iu përgjigj: Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (vargu 23, NKJV). Burri iu përgjigj: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim” (vargu 24, NKJV). Dhe Jezusi e bëri. Plus, ai shëroi birin e atij burri. Nëse ke nevojë për ndihmë me qëndrimin tënd, foli Zotit sot.