Kur Zoti thotë ‘shko’
21. shtator e shtunë

‘Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj’ Zanafilla 12:1 Kur Zoti thotë ‘shko’

Dy pjesët përbërëse të urdhërit të  Perëndisë  ‘shko’ janë ‘shko prej’ dhe ‘shko në’. Uri, shtëpia e Abrahamit, konsiderohej vendi ku duhej të ishe. Duke u nisur për në Mesopotaminë e lashtë, e gjithë pasuria tregtare nga e gjithë Mesdheu duhej të kalonte nëpër Ur. Ishte një vend i një pasurie, tregtie, arsimimi dhe teknologjie të pamasë. Një autor shkruan: ‘Kodi i parë i ligjshëm i shkruar që filloi civilizimin ishte në Ur’. Kështu që, do të ishte një vend i vështirë për t’u lënë – sidomos nëse do të shkoje në Kanaan. Kanaani ishte i pasofistikuar, i parafinuar dhe i pazhvilluar. Askush që kishte mjaftueshëm para për të jetuar në Ur, qendrën e mrekullueshme të qytetërimit, nuk do të shpërngulej në Kanaan.

Pika kryesore është: ti duhet t’i besosh Zotit me të ardhmen tënde kur rruga në të cilën Ai të ka thirrur nuk duket e qartë. Por nëse ti je i gatshëm të shkosh, ti do të zbulosh se Zoti ka në mendje bekime të cilat ti nuk i ke imagjinuar kurrë. Ai i tha Abrahamit: ‘Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës’ (Zanafilla 12:2-3).

Shpërblimi që Zoti do të japë është gjithmonë më i madh se çdo sakrificë që Ai të thërret të bësh. A të ka thirrur Zoti të shkosh, por ti do të qëndrosh? A po të thotë Ai të qëndrosh, por ti do të largohesh? Ky është rezultati: nëse ti i bindesh Zotit, ti nuk do të pendohesh kurrë. Dhe kjo është e garantuar!